Të gjithë i kemi ardhur rreth e rrotull një qendre tregtare duke parë, ndonëse “pa pasur një qëllim për të blerë“.

Sipas Lan Xia, profesor i marketingut në Universitetin Bentley në Massachusetts, njerëzit kontrollojnë për dy arsye: të mbledhin informacione rreth një produkti ose për kënaqësi.

Hulumtimi i kryer në Universitetin Shtetëror të Luizianës thotë se vizita në dyqane për të fituar njohuri, siç janë çmimet e shitjes ose për marka të ndryshme, mund të sjellë kënaqësinë e saj.

Blerja në një dyqan fizik ofron mundësinë për të parë, prekur, ndier dhe provuar artikuj gjatë blerjes. Një gjë të çon në një tjetër dhe përfundoni të blini diçka që nuk e kishit menduar më parë.

Për vite me radhë, shitësit janë përpjekur të gjejnë mënyra për t’i futur njerëzit në dyqane, por tani po konsiderohet më e vështirë prania e klientit brenda tyre.

Kur blini në një dyqan fizik mund të jeni më impulsivë, më të prirur për të shpenzuar sepse produktin e keni në duar dhe ju tërheq. Paraqitja e dyqaneve, klientët dhe ekspozimi ndaj ngjyrave apo aromave ofrojnë një nivel më të lartë stimulimi për të kërkuar për produkte të ndryshme.

Por me kufizimet e blerjeve si rezultat i veçimit shoqëror, dhomave të provave, procedurave të pastrimit të shpeshtë, pamundësisë që klientët e shumtë të prekin të njëjtat gjëra me radhë, duket se e ardhmja e këtyre hapësirave do të jetë e rrezikuar.

Xia shprehet se me gjithë këto kufizime, konsumatorët do të kenë nevojë për një arsye vërtet të mirë për të shkuar në një qendër tregtare. Ai thekson se njerëzit do të fillojnë të gjejnë vende të tjera për të marrë kënaqësi.

Blerja online në rritje?

Një alternativë për konsumatorët mund të jetë blerja online. Në fakt, disa hulumtime tregojnë se blerja në internet mund të sigurojë një përvojë të ngjashme me atë të mëparshme, si dhe mund të ofrojë informacion të njëjtë.

Mirëpo, pasi produkti i blerë nga klienti dorëzohet në shtëpi, qytetarët do të jenë më pak të motivuar për të vizituar një dyqan dhe për më tepër për të harxhuar kohë në gjetjen e një produkti të caktuar.

Në Britaninë e Madhe, një studim i kohëve të fundit, tregoi se dy në pesë persona preferojnë të vazhdojnë me blerjet online, në vend që të rikthehen te blerja tradicionale.

Një transformim i tillë në stilin e blerjes së produkteve të ndryshme, nuk do të thotë se dyqanet fizike nuk kanë më rëndësi, por thjesht kontakti fizik gjatë blerjes është i papranueshëm për një kohë të papërcaktuar.

Burimi: BBC