Është cilësuar si një nga gabimet më të mëdha në historinë bankare dhe Citibank nuk mund ta korrigjojë. Bankës nuk do t’i lejohet të rimarrë paratë që i transferoi gabimisht në llogarinë e kompanisë Revlon, pas vendimit të gjykatës, raporton CNN.

Citibank, e cila po vepronte si agjent i huasë së Revlon, duhej të dërgonte rreth 8 milionë dollarë në pagesa interesi për huadhënësit e kompanisë kozmetike. Por në vend të kësaj shume, Citibank aksidentalisht derdhi 100-fishin e saj, duke përfshirë 175 milione dollarë në një fond mbrojtës. Në tërësi, Citi u transferoi aksidentalisht 900 milion dollarë huadhënësve të Revlon.

Disa huadhënës i kthyen paratë, por të tjerët jo. Citibank iu drejtua gjykatës me një padi duke kërkuar kthimin e fondeve të saj, por ende nuk ka marrë 500 milion dollarë nga 10 firma këshilluese investimesh pas transferimit aksidental.

Një përjashtim nga rregulli

Ligji zakonisht ndëshkon ata që shpenzojnë para të depozituara aksidentalisht në llogaritë e tyre. Transferimet aksidentale janë të zakonshme në epokën dixhitale. Një çift i Pensilvanisë u përball me akuza në gjykatë pasi shpenzuan para të depozituara aksidentalisht në llogarinë e tyre.

Por ligji i Nju Jorkut ka përjashtime nga ky rregull.

Nëse përfituesi ka të drejtë për paratë dhe nuk e dinte që ato janë transferuar në mënyrë aksidentale, ai mund t’i mbajë ato. Huadhënësit e Revlon thanë se besonin se Citibank po transferonte parapagimin për një kredi. Mbi të gjitha, paratë e transferuara aksidentalisht ishin saktësisht e njëjta shumë që u detyrohej atyre Citibank.