Një 17-vjeçar i sëmurë me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi” ndërroi jetë ditën e sotme.

Lajmi u konfirmua nga ministria e Shëndetësisë për mediat.

Nuk është e qartë nëse shkaku i vdekjes ka qenë vetëm sëmundja nga COVID-19 apo ndërlikimi i ndonjë sëmundjeje tjetër bashkëshoqëruese.

Zyrtarisht, prej nisjes së pandemisë së COVID-19, në Shqipëri janë diagnostikuar mbi 100 mijë raste me infektime, prej së cilave 1,666 (1.66%) janë mbyllur me pasojë vdekjen.

Prej disa javësh autoritetet shëndetësore kanë ngritur shqetësimin e infektimeve dhe fataliteteve në moshat e reja.

Sipas të dhënave të ministrisë, në total, 9% e viktimave nga COVID-19 në vendin tonë kanë qenë të moshave 0-19 vjeç. Viktima më e re në moshë mbetet një fëmijë 16-muajsh i ndarë nga jeta më 20 nëntor 2020.