Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që do të rinumërojë 494 vendvotime në Kosovë.

KQZ-ja i ka ndarë në katër kategori vendvotimet të cilat do të rinumërohen, për arsye të mospërputhjeve të formularëve të rezultateve.

Sipas KQZ-së arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime).

Kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së Burim Ahmetaj ka thënë se në 370 vendvotime një kandidat ka më shumë vota se subjekti, duke rekomanduar që këto vendvotime që të shkojnë në rinumërim.

“Është duke vazhduar procesi i skanimit të rezultateve që kanë mbetur edhe dy komuna. Nga shërbimi votues nga 19 mijë pako të vlerësuara deri më tani janë aprovuar mbi 22 mijë zarfe të refuzuara janë pjesa tjetër dhe të proceduara  janë mbi 31 zarfe nga 19 mijë pako”.

Ndërsa, Sami Kurteshi ka kërkuar që të krijohet një komision që të verifikohet secila votë veç e veç.

Kurteshi madje ka thënë se asnjëherë nuk është publikuar lista e atyre që ju është refuzuar vota nga jashtë.

“Ne kemi disa arsyetime ku ka raste se personat kanë aplikuar dhe dalin se nuk kanë aplikuar ka raste ku aplikacioni është refuzuar, por në të vërtetë nuk është refuzuar dhe kjo është çështje që len mjaft dilema”.

Kurteshi ka përmendur që disa parti të komunitetit boshnjak kanë marr vota në disa vende nuk ka pjesëtar të këtij komuniteti, siç thotë ai për këto raste KQZ-ja po heshtë.

“Ka raste kur në disa komuna ku nuk ka pjesëtarë të komunitetit boshnjak partitë boshnjake kanë marr shumë vota ajo diskutohet në publik, KQZ-ja hesht”.

Deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit. Pas vlerësimit, janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime.