Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e nisi ditën sot me një premtim për fermerët.

Ajo deklaroi në rrjetet sociale se mbështetja për ta nuk do të mungojë kur opozita të vijë në pushtet. Kryemadhi nënvizoi se LSI e mban fjalën.

“Gjysma e shqiptarëve jetojnë me bujqësi. Shumë prej tyre janë në kufijtë e mbijetesës. Ndërkohë që shqiptarët shpenzojnë rreth 80% të të ardhurave të tyre për ushqim. Ndërkohë që sigurojnë me prodhimin vendas rreth 30% të nevojave për ushqime. Me planin tonë, kjo situatë do të ndryshojë. Fermerët shqiptarë do të mbështeten drejtperdrejt për të rritur prodhimin. Rreth 200 milionë euro në vit do të investohen për fermerët për të ulur kostot e imputeve bujqësore dhe naftës, do të mbështeten për njësi prodhimi. Mbështetje direkte do të ketë për çdo të imët apo gjedh të lindur dhe të therur, për çdo zog dhe shpend për mish, që shqiptarët të ushqehen me prodhimet Made in Albania, e jo t’i ushqejë bota. Do të vendosim TVSH në gjithë zinxhirin e prodhimit dhe do të mbrojmë prodhimin vendas, që shqiptarët të hanë më mirë e më lirë. Do të mbështesim industrinë ushqimore dhe do të hapim qindra vende pune. Ne e mbajmë fjalën!”