Gjithmonë kanë qenë të kujdesshëm. Gjithmonë kanë përdorur të gjitha masat paraprake. Kurrë nuk bënë sjellje të rrezikshme.

Megjithatë, sipas një shkrimi të botuar në “Corriere della Sera” shumë e kanë parë veten të infektuar me Covid-19 dhe të shtruar në një shtrat spitali.

Dhe ata i kaluan ato ditë në repart, duke menduar se ku kanë rënë në kontakt me virusin dhe si e morën atë.

Dhe e vetmja përgjigje që i kanë dhënë vetes, ka të bëjë me sipërfaqet, mbase jo të dezinfektuara në mënyrë të përsosur: një celular, një dorezë dere, butoni i një ashensori.

Por nuk ka asnjë provë shkencore-shëndetësore që vërtet është kështu. Këto janë vetëm supozimet e pacientëve individualë.

Infektimi me një telefon?

Nga këto raste ndodhin gjithnjë e më shpesh, veçanërisht në këtë valë të dytë. Kjo është ajo që, për shembull, komandanti provincial i karabinierëve në Bergamo, Alessandro Nervi, 51 vjeç, i cili për mendimin e tij, u sëmur duke ia kaluar telefonin një të njohuri, që më pas rezultoi pozitiv me Covid.

Infektimi në spital

Pak a shumë e njëjta hipotezë e Luciano De Biase, 66 vjeç, kardiolog në Romë. “Unë kontraktova Covid-19. Edhe pse punoja mjek, e kam gjetur veten si një pacient në repartin tim. Unë përfundova në kujdesin intensiv dhe isha jashtëzakonisht i sëmurë, mos harroni. Si u sëmura? E kam menduar shumë dhe akoma nuk mund t’i jap vetes një përgjigje. Në punë kam qenë gjithmonë i mbrojtur, i kujdesshëm dhe i matur. E vetmja përgjigje e arsyeshme që i kam dhënë vetes, është se preka diçka, si një dorezë dhe pastaj padashur fërkova sytë”.

Maska kirurgjikale nuk mjafon kundër ngjitjes përmes aerosolit

Edhe revista “Nature”, disa ditë më parë, me një artikull të gjatë dhe një editorial, theksoi se shumë përpjekje janë përqendruar ende në pastrimin e sipërfaqeve, pa marrë parasysh një realitet që është zbuluar gjatë muajve, domethënë, që virusi mund të transmetohet përmes ajrit: mund të infektoheni gjithashtu duke thithur grimca të vogla të viruseve (aerosole), që notojnë në ajër për një kohë të gjatë para se të avullojnë dhe jo vetëm përmes pikave të cilat, për shkak të madhësisë dhe peshës së tyre, bien në tokë brenda dy metrash distancë.

Kërkimet në muajt e fundit, provojnë, gjithnjë e më fort, se koronavirusi transmetohet përmes aerosoleve: vendet më të rrezikshme – tani është e qartë – janë ambiente të mbyllura, të mbushura me njerëz me ventilim të dobët.

Në këtë aspekt, pra – jo në atë të ngjitjes nëpër sipërfaqe, mbi të cilën nuk ka pothuajse asnjë provë – shumë shkencëtarë kërkojnë ndërhyrje për të parandaluar ose kufizuar transmetimin e virusit.

Duhet theksuar, se në thithje, maskat kirurgjikale kanë një efikasitet të dobët në aerosol. “Për të bllokuar pikat e mëdha, aderimi i përsosur nuk është i nevojshëm, – shpjegon Giorgio Buonanno, profesor i Fizikës Teknike Mjedisore në Universitetin e Cassino-s dhe Universitetin e Teknologjisë Queensland në Brisbane (Australi), – por pikat e vogla, largohen nga skajet. Maska duhet ta mbajë mbërthyer fytyrën. Mund të jetë një ide e mirë të siguroni kapacitet filtrues me një maskë kirurgjikale ose FFP2 dhe aderimin në fytyrë me një maskë pëlhure të vendosur sipër. Nëse arrini të shtoni një tjetër copë, që i bën maskat të ngjiten më mirë, ju merrni një mbrojtje që arrin deri në 90 për qind”, – tha ai.