Kryeministri Edi Rama, ditën e sotme është ndalur në Elbasan, ku edhe ka zhvilluar një bashkëbisedim online me qytetarët në këtë qytet.

Rama foli edhe për vaksinimin e personaliteteve 80-vjeç, duke theksuar se sipas tij reagimet pas komunikimit të këtij vendimi ka qenë i padrejtë.

Gjithashtu ai tha se nisja me personalitete të moshës 80-vjeç është më shumë një shenjë sensibilizmi apo ndërgjegjësimi për ata persona që dyshojnë tek efektiviteti i vaksinës.

Bëhet fjalë për të filluar vaksinimin me disa personalitet që janë 80-vjeçar për të dhënë një mesazh përkujdesjeje për ta sepse shoh njëfarë sëkëlldie që kur këta njerëz ndahen nga jeta ka një rrjedhje fjalësh për ta dhe nuk ma ha mëndja që do të dukeshim më bukur nëse ne do të duhet të përballeshim me humbjen e tyre për shkak të mungesës së vaksinës.

Po ashtu fushata e vaksinimit ka një aspekt tjetër që është edhe sensibilizimi i atyre që mendojnë se vaksina është e dëmshme. Pra fillojmë më kategorinë e 80-vjeçare por janë të parët në një ditë ku do të vaksinohen edhe të tjerë që janë njerëz të zakonshëm, por fillon me ta si një mënyrë simbolike.

Është bërë një reagim i padenjë, mizerabël nga njerëz që kanë mundësi të komunikojnë më publikun duke u përpjekur të shfryjnë mllefin ndaj qeverisë. Nuk besoj që do të ishte e denjë që të ngrihet gjithë kjo stuhi në gotë kur bëhet fjalë për dhjetëra persona që kanë kontribuar në shoqëri”, tha Rama.

Ndërsa foli për arsimin Rama tha se sistemi arsimor ishte në gjendje shumë të keqe dhe që nuk kishte asnjë vëmendje.

Ne menjëherë synuan ndryshimin e sistemit duke iu referuar Gjermanisë. Por aktualisht jemi në mes të rrugës sepse ka shumë për të bërë. Ndërkohë nxënësit që mbarojnë arsimin profesional kanë një avantazh kur flitet për ato zanate që kërkohen nga tregu. Por ajo që pritet është krijimi i hallkës së kolegjeve profesionale, për të pasur një mundësi dhe një tjetër nivel për nxënësit”, tha Rama.

Ndërkohë ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila prej ditësh në karantinë për shkak të infeksionit të Covid-19, në komunikimin online tha se Elbasani falë projekteve dhe punës janë transformuar rrënjësisht infrastruktura rrugore, janë rikonstruktuar qendra spitalore, shkolla dhe se për të vazhduar dhe finalizuar këto vepra, PS-së i duhet ky mandat i tretë.

Balla: Nuk kemi shkop magjik ta transformojmë Elbasanin brenda 4 apo 8 viteve

Kryeministri i vendit Edi Rama është ndalur këtë mëngjes të diele në një bashkëbisedim me qytetarët në Elbasan. I pranishëm është edhe kandidati për deputet në Elbasan, Taulant Balla i cili në fjalën e tij u shpreh se falë punës, vullnetit dhe vizonit janë realizuar shumë projekte.

Gjithashtu ai theksoi se që të arrihet në përfundim të projekteve të nisura, PS i duhet edhe ky mandat i tretë. “Nuk kemi shkop magjik që ta transformojmë Elbasanin bernda 4 apo 8 viteve, ndaj na duhet ky mandat i tretë.

Ajo që ne duhet të transformojmë është kalaja e Elbasanit, që është kalaja më e madhe fushore në Ballkan. Brenda 500 metra katror gjen edhe xhaminë, edhe kishën, etj., prandaj ne do ta transformojmë.

Diçka tjetër që është e rëndësishme është se Elbasani 2021-2025 ka dy gjëra kryesore, bypass-i dhe linja hekurudhore, që e ka ndarë në mënyrë të padrejtë në dy pjesë Elbasanin, por që ne kemi një projekt të madh për ta transformuar”, u shpreh Balla.

Gjithashtu ai theksoi se në këtë qytet është dyfishuar numri i të punësuarve.

“Jam i gatshëm të përballem me këdo, politikanë apo analistë, për numrin e punësimeve. Në Elbasan ne kemi arritur thuajse ta dyfishojmë numrin e të punësuarve. Nëse në Elbasan më 2013 kishim rreth 30-40 mijë të punësuar, kjo shumë sot është e dyfishuar. Kjo është një shifër shumë domethënëse”, tha Balla.