Në Shtetet e Bashkuara, përgjatë një viti, koronavirusi u ka marrë jetën rreth 500 mijë amerikanëve. Ky numër është më i madh se çdo bilanc lufte në të cilën janë përfshirë amerikanët, me përjashtim të Luftës Civile.

Në Luftën e Parë Botërore humbën jetën 116 mijë amerikanë, në Luftën e Dytë 405 mijë dhe në luftën e Vietmanit 58 mijë. Ndërsa Lufta Civile pati 750 mijë viktima.

Edhe pse ka një ngadalësim të vdekshmërisë nga Covid-19, frika e varianteve të reja e zbeh optimizmin.

The New York Times” e ka vënë këtë shifër në disa skenarë, që tregojnë përmasën tragjike të pandemisë në një vit.

Numri i viktimave është sa ai i banorëve të një qyteti të madh, si Kansas, Atlanta apo Sacramento.

Nëse të gjithë këta njerëz do të kishin udhëtuar së bashku, me autobusë nga 50 persona, do të duheshin 9 804 autobusë, që do të rreshtoheshin në një rrugë 94.7 milje.

Nëse ata do të varroseshin në të njëjtin vend, varreza do të kishte përmasat e Arlingtonit.

Pandemia e gripit spanjoll në 1918 vrau rreth 675 000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.

Janë dashur më pak se pesë javë për të kaluar nga 400 000 të vdekur në 500 000, dhe zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thonë se numri mund të jetë edhe më i lartë.

Por numri i rasteve të reja me Covid-19, shtrimet në spital dhe vdekjet kohët e fundit kanë filluar të ngadalësohen, ndërsa më shumë se 1 milion njerëz vaksinohen çdo ditë.

Megjithatë, edhe për shkak të varianteve të reja, është e pamundur të projektohet si do të jetë  fundi i kësaj pandemie.